Je duke qëndruar gati në mes të portës kur papritmas, ndjen një kruajtje të ashpër në kokë. Të gjithë ne kemi përjetuar bezdinë e kruajtjeve, por a keni menduar ndonjëherë se pse kruhemi? Njeriu mesatar përjeton dhjetëra kruajtje individuale çdo ditë. Ato mund të shkaktohen nga lloj-lloj gjëra, duke përfshirë reaksionet alergjike, thatësia, dhe madje nga disa sëmundje. Pastaj ka edhe arsye misterioze të cilat shkaktohen pa arsye, ose vetëm duke folur rreth kruajtjes. Tani je duke e kruajtur kokën, apo jo? Sidoqoftë, le të flasim për një nga arsyet kryesore: kafshimet e insekteve. Kur një mushkonjë të kafshon, lëshon një komponim në trup i cili quhet antikoagulant i cili ndalon gjakun të trashet. Ky komponim, prej të cilit jemi pak alergjik, shkakton lëshimin e histaminës, një substancë që i bën kapilarët tonë të fryhen. Kjo mundëson rrjedhje të shtuar të gjakut, e cila ndihmon në shpejtimin e reagimit nga sistemi imunitar ndaj këtij rreziku të paramenduar. Kjo shpjegon fryerjen, dhe është e njejta arsye se pse poleni i bën sytë të fryhen. Histamina gjithashtu aktivizon nervat e përfshirë në kruajtje, prandaj kafshimet e insekteve të bëjnë të kruhesh. Por vetë ndjenja e kruajtjes nuk është kuptuar ende plotësisht. Në fakt, shumica e asaj çka dimë vjen nga studimi i mekanikës së kruajtjes në minj. Studiuesit kanë zbuluar se sinjalet e kruajtjes në lëkurën e tyre transmetohen përmes një nëndege të nervave të lidhura me dhimbjen. Këto nerva të veçanta prodhojnë molekulën e quajtur polipeptid natriuretik B, e cila shkakton një sinjal i cili bartet përmes palcës kurrizore në tru, ku krijon ndjesinë e kruajtjes. Kur kruhemi, veprimi i thonjve në lëkurë shkakton një sinjal të vogël të dhimbjes i cili shtyp ndjesinë e kruajtjes. Është disi si shpërqëndrim, i cili krijon ndjenjën e çlirimit. Por a ka në fakt ndonjë qëllim evolucionar në kruajtje, apo ndoshta ekziston vetëm për të na bezdisur? Teoria që kryeson është se lëkura jonë ka evoluar për të qenë të vetëdijshëm ndaj prekjes për të qenë të përgaditur të përballemi me rreziqet e botës së jashtme. Mendojeni njëherë. Përgjigjja jonë automatike ndaj kruajtjes do të hiqte gjëra të dëmshme të cilat janë potencialisht në lëkurë, si ndonjë pickim të dëmshëm, një kafshim insekti, ose dredha të bimëve helmuese. Kjo mund të shpjegojë se pse nuk ndjejmë kruajtje brenda trupit, si për shembull në zorrë, të cilat janë të sigurta nga këto rreziqe të jashtme, ndonëse mendojeni se sa acaruse do të ishte. Tek disa persona, problemet në rrugët përgjegjëse për kruajtje mund të shkaktojnë kruajtje të tepërt e cila mund të jetë e dëmshme për shëndet. Një shembull ekstrem është një gjendje psikologjike e quajtur parazitozë mashtruese, ku njerëzit besojnë se në trupat e tyre jetojnë morra ose pleshta duke rrëmuar mbi dhe nën lëkurë, duke i bërë ata të kruhen pa nevojë. Një fenomen tjetër i quajtur kruajtja fantazmë mund të ndodhë në pacientë të cilët kanë amputuar ndonjë pjesë të trupit. Për shkak se këto lëndime dëmtojnë seriozisht sistemin nervor, huton sinjalizimin normal nervor trupor dhe krijon ndjesi në gjymtyrët tê cilat nuk i ka. Doktorët tani po gjejnë mënyra për ti trajtuar këto anomali të kruajtjes. Në të amputuar, pasqyrat përdoren për të reflektuar gjymtyrën e humbur, të cilën pacienti e kruan. Kjo krijon një iluzion i cili mashtron trurin duke menduar se kruajtja imagjinare është larguar. Çuditërisht, kjo në fakt funksionon. Studiuesit gjithashtu po kërkojnë për gjenet të përfshira në kruajtje dhe po zhvillojnë trajtime duke provuar për ta bllokuar rrugën e kruajtjes në raste ekstreme. Nëse të pasurit e një kruajtjeje të pakruajtshme jep ndjenjën e ferrit, Danteja do të pajtohej. Poeti italian shkroi për një pjesë të ferrit ku njerëzit ndëshkoheshin duke u lënë në gropa ku kruheshin përjetësisht.