Ka shumë mundësi që nuk më njihni, por jam një nga ata .01 përqindëshat për të cilët dëgjoni apo lexoni, dhe, sipas çdo përkufizimi të arsyeshëm, një plutokrat. Ajo që dua të bëj sot është t’u flas haptazi plutokratëve të tjerë, llojit tim, pasi duket se është koha që krejt ne të ulemi të bisedojmë. Si shumica e plutokratëve, jam kapitalist shumë krenar dhe pa brenga. Kam themeluar, bashkë-themeluar ose financuar mbi 30 kompani në industri të ndryshme. Isha investuesi i parë jo-familjar në Amazon.com. Bashkëthemelova një shoqëri të quajtur aQuantive që ia shitëm Microsoft-it për 6.4 miliardë dollarë. Tok me miqtë e mi, jemi pronarë të një banke. Ua tregoj — (Të qeshura) — e pabesueshme, apo jo? Ua them këto për t’ju treguar se jeta ime është si shumica e plutokratëve. Kam një këndvështrim të gjerë mbi kapitalizmin dhe biznesin, çka më është shpërblyer me të dy duart me një jetë që shumica juaj as e përfytyrojnë dot: disa shtëpi, një jaht, avionin tim, etj., etj., etj. Por të jemi të sinqertë: nuk jam personi më i mençur që ju ka rastisur. Dhe, pa mëdyshje, jo më i palodhuri. Isha student mesatar. Nuk jam fare tip teknik. Nuk shkruaj dot as edhe një rresht kodi. Me tërë mend, suksesi im është pasojë e fatit spektakolar, e lindjes, e rrethanave dhe e kohës. Por në fakt jam goxha i zoti në dy gjëra. E para, kam një tolerancë jo të zakonshme për rreziqet, dhe tjetra kam shumë intuite, se ç’do të ndodhë në të ardhmen, dhe mendoj se kjo nuhatje e së ardhmes është thelbi i sipërmarrjes së arrirë. Ç’shoh sot te e ardhmja jonë, do të pyesnit? Shoh sfurqe, si sfurqet e një turme të egërsuar, ngaqë, ndërkohë që njerëz si ne plutokratët jetojnë tej andrallave të koprracisë, 99 përqindëshi tjetër i bashkëqytetarëve tanë po mbeten gjithnjë e më tepër mbrapa. Më 1980-n, një përqindëshi i amerikanëve në majë zotëronte rreth tetë përqind të të ardhurave kombëtare, kurse 50 përqindëshi i amerikanëve poshtë zotëronte 18 përqind. Tridhjetë vjet më vonë, sot, një përqindëshi në majë zotëron mbi 20 përqind të të ardhurave kombëtare, kurse 50 përqindëshi i amerikanëve poshtë zotëron 12 ose 13. Nëse prirja vazhdon, 1% në majë do të zotërojë mbi 30 përqind të të ardhurave kombëtare pas 30 vitesh të tjera, kurse 50 përqindëshi i amerikanëve poshtë vetëm gjashtë. Pra, problemi nuk është se kemi ca pabarazi. Ca pabarazi është e domosdoshme për një demokraci kapitaliste që funksionon goxha Problemi është se pabarazia sot është në maja historike dhe përditë e më keq bëhet. Dhe nëse pasuria, pushteti, dhe të ardhurat vazhdojnë të përqendrohen në majën e majës, shoqëria jonë do të ndryshojë nga një demokraci kapitaliste në një shoqëri neo-feudale rentiere si Franca e shekullit të 18-të. Kështu qe Franca para revolucionit, me turmat me sfurqe. Ndaj kam një mesazh për plutokratët e mi dhe trilionerët dhe për këdo që jeton në një botë flluskë të gardhuar: Zgjohuni. Zgjohuni. Kjo s’mund të zgjasë përgjithmonë. Sepse nëse nuk bëjmë diçka për ndreqjen e pabarazive ekonomike verbuese në shoqërinë tonë, sfurqet do të na gjejnë, pasi asnjë shoqëri e lirë dhe e hapur s’mund ta mbajë gjallë këtë lloj pabarazie ekonomike në rritje. Kurrë nuk ka ndodhur. Nuk kemi shembuj për të. Tregomëni një shoqëri shumë të pabarabartë, t’ju tregoj një shtet policor ose një kryengritje. Nëse nuk i biem pas kësaj pune, sfurqet do të na gjejnë. Çështja nuk është “po sikur”, është “kur”. Dhe do të jetë e tmerrshme kur t’i vihen gjithkujt, por veçanërisht njerëzve si ne, plutokratëve. E di që duhet të dukem si ndonjë liberal naiv. Nuk jam. S’po argumentoj moralisht që pabarazia ekonomike është e keqe. Ajo që po mbroj është se rritja e pabarazisë ekonomike është pa mend dhe tek e fundit vetë-shkatërruese. Rritja e pabarazisë s’rrit thjesht rrezikun tonë përballë sfurqeve, por është e tmerrshme për vetë biznesin. Modeli për ne njerëzit e kamur do të duhej të qe Henri Fordi. Kur Fordi në mënyrë të famshme futi ditën e punës 5 dollarëshe, çka qe dyfishi i rrogës mbizotëruese të kohës, ai s’rriti thjesht prodhueshmërinë e fabrikave të veta, ai i shndërroi punëtorët e shfrytëzuar, që qenë të varfër, në një klasë të mesme në lulëzim që tani mund t’ia dilte të blinte produktet që prodhonte. Fordi nuhati atë çka ne e njohim si të vërtetë, që një ekonomi kuptohet më mirë si një ekosistem dhe se karakterizohet nga po ato qerthuj marrëdhëniesh që i gjeni në një ekosistem natyror, një qerthull marrëdhëniesh mes klientësh dhe biznesesh. Rritja e rrogave shton kërkesën, dhe kjo shton punësimin, që nga ana e vet rrit rrogat kërkesën dhe fitimet, por ky cikël virtuoz i rritjes së mbrothësisë është pikërisht çka mungon sot për rigjallërimin e ekonomisë. Kjo është arsyeja pse duhet t’i lëmë pas politikat trickle-down që kaq shumë mbizotërojnë në të dyja partitë politike dhe të përqafojmë diçka që unë e quaj ekonomi middle-out. Ekonomia middle-out e hedh tej idenë ekonomike neoklasike se ekonomitë janë të efektshme, lineare, mekanike, se priren drejt baraspeshimit dhe paanësisë, dhe përqafon në fakt idenë e shekullit XXI që ekonomitë janë ekosisteme të ndërlikuara, përshtatëse, dhe se priren larg baraspeshimit dhe drejt pabarazisë, se nuk janë aspak të efektshme, por kanë efektshmëri, nëse administrohen mirë. Ky këndvështrim i shekullit XXI ju lejon të shihni qartë se kapitalizmi s’funksionon duke shpërndarë [me efektshmëri] burimet ekzistuese. Funksionon duke krijuar [me efektshmëri] zgjidhje të reja për problemet njerëzore. Gjenialja te kapitalizmi është se është një sistem evolucionist zgjidhje-gjetjesh I shpërblen njerëzit për zgjidhjen e problemeve të njerëzve të tjerë. Qartas, dallimi mes një shoqërie të varfër dhe një shoqërie të pasur, është shkalla me të cilën shoqëria prodhon zgjidhje në formë produktesh për qytetarët e vet. Tërësia e zgjidhjeve që kemi në shoqërinë tonë është vërtet mbrothësia jonë, dhe kjo shpjegon pse kompani si Google dhe Amazon apo Microsoft dhe Apple dhe sipërmarrësit që i krijuan këto kompani kanë kontribuar kaq shumë në mbrothësinë e kombit tonë. Ky këndvështrim shekulli XXI e bën gjithashtu të qartë se ajo çka e mendojmë si rritje ekonomike kuptohet më mirë si shkalla se sa probleme zgjidhim. Por kjo shkallë varet tërësisht nga sa zgjidhës problemesh — zgjidhës të zotë, të larmishëm, problemesh — kemi, praj edhe nga se sa prej bashkëqytetarëve tanë marrin pjesë aktivisht, si sipërmarrës që mund të ofrojnë zgjidhje, dhe si klientë që i konsumojnë ato. Por rritja sa më tepër e pjesëmarrjes nuk ndodh rastësisht. Nuk ndodh vetë. Lyp përpjekje dhe investim, çka është arsyeja pse krejt demokracitë kapitaliste me shumë mbrothësi dallohen nga investime masive drejt shtresës së mesme dhe infrastrukturës nga e cila ajo varet. Ne plutokratët lypset ta lëmë pas këtë ekonominë trickle-down, këtë ide që sa më mirë të jemi ne, aq më mirë do të jetë gjithkush. S’është e vërtetë. Si të jetë e vërtetë?!? Unë fitoj 1000 herë sa rroga mesatare, por nuk blej 1000 herë më tepër gjëra, apo jo? Bleva dy palë pantallona nga këto, të cilat Majku, ortaku im i quan pantallona administratori. Mund të blija 2000 palë, por për t’i bërë çfarë? (Të qeshura) Sa herë do të qethem? Sa herë do darkoj jashtë? Pavarësisht se sa të kamur të bëhen pak plutokratë, kurrë s’mund të shtyjnë para një ekonomi të fortë kombëtare. Vetëm një shtresë e mesme e lulëzuar mundet. S’kemi ç’bëjmë, mund të thonë miqtë e mi plutokratë. Tjetër koha e Henri Fordit. Ndoshta s’bëjmë dot ca gjëra. Ndoshta ca gjëra mund t’i bëjmë. 19 Qershor, 2013, Bloomberg botoi një shkrim timin me titull "The Capitalist’s Case for a $15 Minimum Wage." Babaxhanët e revistës Forbes, ndër admiruesit e mi më të mëdhenj, e quajtën "Propozimi thuajse i çmendur i Nik Hanauerit." Por prapë, vetëm 350 ditë pasi qe botuar ai artikull, kryetari i bashkisë së Seattle e dekretoi ligj një urdhëresë për rritjen e pagës minimum në Seattle në 15 dollarë ora, më shumë se dyfishi i 7.25 dollarëve që mbizotëron në nivel federal. Si ndodhi kështu, mund të pyesin njerëz të arsyeshëm. Ndodhi se një grup prej nesh i kujtuan shtresës së mesme se ajo është burimi i rritjes dhe mbrothësisë në ekonomitë kapitaliste. Ju kujtuam atyre se kur punëtorët kanë më shumë para, bizneset kanë më tepër klientë, dhe u duhen më shumë punonjës. Ju kujtuam se kur bizneset u paguajnë punëtorëve një rrogë të denjë për jetesë, taksapaguesve u hiqet barra e financimit të programeve kundër varfërisë si triska ushqimesh, asistencë mjekësore apo kontribut qirash për të cilat kanë nevojë këta punëtorë. Ju kujtuam atyre se punëtorët me rroga të ulëta përbëjnë taksapagues të tmerrshëm, dhe se kur rrisni pagën minimum për krejt bizneset, krejt bizneset përfitojnë pa u dëmtuar konkurrenca e ndonjërit prej tyre. Reagimi klasik, sigurisht, është që me rritjen e pagës minimum ulen vendet e punes. Apo jo? Politikanët tuaj i bëjnë gjithmonë jehonë kësaj ideje trickle-down duke thënë gjëra të tilla si, "Po qe se rrisni çmimin e krahut të punës, gjejeni se ç’ndodh? Merrni më pak të tillë." Me tërë mend? Se ja që ka ca fakte që bien ndesh me këtë. Që nga 1980, rrogat e CEO-ve te ne u rritën me 30 deri 500 herë të rroges mesatare. Kjo është rritje e çmimit të krahut të punës. Por, me sa di, nuk kam parë ndonjë kompani që punën e CEO-së ta mbulojë jashtë kompanisë, ta automatizojë, ta eksportojë në Kinë. Në fakt, duket se punësojmë CEO dhe kuadër drejtues më tepër se kurrë. Po njësoj për punonjës teknologjie dhe punonjës shërbimesh financiare, që fitojnë shumëfish sa rroga mesatare por prapë punësojmë gjithnjë e më shumë të tillë, pra, pa mëdyshje, çmimin e krahut të punës mund ta rrisni dhe prapë të keni më tepër të tillë. E di se shumica e njerëzve mendon se rroga minimum 15 dollarë ora është eksperiment ekonomik i marrë, i rrezikshëm. Nuk pajtohemi me ta. Besojmë se paga minimum 15 dollarëshe në Seattle është në fakt vazhdimi i një politike ekonomike logjike. Ajo po i lejon qytetit tonë t’ia dalë mbanë. Ngaqë, shteti i Uashingtonit ka tashmë pagën minimum më të lartë ndër shtetet e kombit. Ne i paguajmë krejt punëtorët 9.32 dollarë ora, çka është gati 30 përqind më shumë se sa minimumi në nivel federal prej 7.25, por, 427 përqind më shumë se minimumi federal më i ulët prej 2.13. Po të kishin të drejtë teoricienët e trickle-down, atëherë shteti i Washingtonit duhej të kishte papunësi masive. Seattle të rrëshqiste drejt oqeanit. Por Seattle është qyteti me rritjen më të shpejtë në vend, ndër të mëdhenjtë. Në shtetin e Washingtonit po krijohen vende pune në biznes të vogël me shpejtësi më të madhe se cilido shtet tjetër i rëndësishëm i kombit. Biznesi i restoranteve në Seattle? Në lulëzim. Pse? Sepse ligji themelor i kapitalizmit është, kur njerëzit kanë më tepër para, bizneset kanë më tepër klientë dhe u duhen më shumë punëtorë. Kur restorantet i paguajnë punonjësit e tyre aq sa edhe ata vetë të mund të arrijnë të hanë në restorante, kjo nuk i bën dëm biznesit të restoranteve. Kjo u sjell të mira, pavarësisht se ç’mund t’ju thotë ndonjë pronar. Mos është më e ndërlikuar se sa po e bëj? Sigurisht që është. Ka mjaft forca në lojë. Por, a ka mundësi të ndalim së nguluri këmbë se nëse punëtorët me rroga të ulëta fitojnë pak më tepër, papunësia do të arrijë në qiell dhe ekonomia do të vithiset? Nuk ka prova për këtë. Gjëja më tinëzare te ekonomia trickle-down s’është pretendimi se nëse pasanikët pasurohen edhe më, kjo është mirë për të gjithë. Është pretendimi i atyre që janë kundër çfarëdo rritjeje të pagës minimum se, nëse të skamurit fitojnë diçka më tepër, kjo do të jetë e dëmshme për ekonominë. Këto janë gjepura. Ndaj, ka mundësi ta lëmë me kaq këtë retorikë sipas së cilës vendin tonë e ndërtuan pasanikët si unë dhe miqtë e mi plutokratë? Ne plutokratët e dimë, edhe pse s’na pëlqen ta pranojmë në publik, se po të qemë lindur diku gjetkë, jo në Shtetet e Bashkuara, fare mirë mund të ishim nga ata zbatharakët në anë të rrugës plot pluhur, që shesin banane. Jo se nuk ka sipërmarrës të mirë në vende të tjera, madje dhe në vende shumë, shumë të varfra. Kjo vjen ngaqë kaq është ajo sa ngrenë klientët e këtyre sipërmarrësve. Ja një ide për një lloj të ri ekonomie, një lloj të ri politike që unë e quaj kapitalizmi i ri. Le të pranojmë që kapitalizmi i mund alternativat ndaj tij, por edhe që sa më tepër vetë të përfshijmë, si sipërmarrës dhe si klientë, më mirë funksionon. Le ta reduktojmë sa mundet madhësinë e qeverisjes, por jo duke sakrifikuar programet kundër varfërisë, por duke siguruar që punëtorët paguhen mjaftueshëm aq sa të mos kenë nevojë për këto programe. Le të investojmë mjaftueshëm për klasën e mesme për ta bërë ekonominë tonë më të paanshme dhe më përfshirëse, dhe përmes më të paanshmes, vërtet më konkurruese, dhe përmes më vërtet konkurrueses, më të aftë të prodhojë zgjidhje për problemet njerëzore të cilat janë shtysat e vërteta për rritjen dhe mbrothësinë. Kapitalizmi është teknologjia shoqërore më e goditur e shpikur ndonjëherë për krijimin e mbrothësisë në shoqëritë njerëzore, nëse administrohet si duhet, por kapitalizmi, për shkak të dinamikave themelore shumëfishuese të sistemeve komplekse, priret, pandalshëm, drejt pabarazisë, përqendrimit dhe vithisjes. Puna e demokracive qëndron te shtimi në maksimum i përfshirjes sa më të gjerë me qëllim krijimin e mbrothësisë, jo në aftësimin e pak vetëve të grumbullojnë para. Qeveritë krijojnë mbrothësi dhe rritje, duke krijuar kushtet që u lejojnë si sipërmarrësve, ashtu edhe klientëve të tyre të lulëzojnë. Baraspeshimi i fuqisë së kapitalistëve si unë dhe asaj të punëtorëve nuk është i dëmshëm për kapitalizmin. Është thelbësor për të. Programe të tillë si, një pagë minimale e arsyeshme, kujdes shëndetësor i arritshëm, leje e paguar për mungesa nga sëmundje, dhe taksim progresiv, i nevojshëm për financim infrastrukture të rëndësishme, të domosdoshme, për klasën e mesme - arsim, kërkim, zhvillim - janë mjete të domosdoshme që një kapitalist i mprehtë duhet t’i përqafojë për të nxitur rritjen ekonomike, ngaqë askush nuk përfiton më shumë se ne prej saj. Shumë ekonomistë duan të besoni se fusha e tyre është shkencë objektive. Nuk jam dakord, dhe mendoj se po aq është një mjet që njerëzit e përdorin për të detyruar dhe rrënjosur parapëlqimet dhe paragjykimet tona shoqërore dhe morale mbi statusin dhe fuqinë, dhe kjo është arsyeja pse plutokratë si unë gjithmonë kanë pasur nevojë të gjejnë histori bindëse për t’ia treguar kujtdo tjetri se pse pozicioni ynë relativ është moralisht i drejtë dhe i mirë për këdo: pra që ne jemi të domosdoshëm, krijuesit e vendeve të punës, kurse ju jo; se shkurtimi i taksave për ne krijon rritje ekonomike, por investimet për ju do të fryjnë borxhin tonë dhe falimentojnë vendin tonë të fuqishëm; që ne jemi të rëndësishëm; kurse ju jo. Për mijëra vjet, këto histori janë quajtur e drejtë hyjnore. Sot i shohim si ekonomi trickle-down. Duket sheshit dhe qartë se sa mirë i shërbejnë këto atij që i rrëfen. Ne plutokratët kemi nevojë të dëgjojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës na pollën ne, jo e anasjellta; se një klasë e mesme e lulëzuar është burimi i mbrothësisë në ekonomitë kapitaliste, jo një rrjedhojë e tyre. Dhe nuk duhet të harrojmë kurrë se edhe më i zoti prej nesh, në rrethanat më të këqija do të shiste banane, zbathur, në anë të rrugës me pluhur. Plutokratë të dashur, mendoj se mund të jetë koha që t’i rikushtohemi vendit tonë, t’i kushtohemi një lloji të ri kapitalizmi që është edhe më përfshirës, edhe më efektiv, një kapitalizëm që do të bëjë të mundur që ekonomia e Amerikës të mbetet më dinamikja dhe me më mbrothësi në botë. Le të sigurojmë të ardhmen tonë, të fëmijëve tanë dhe fëmijëve të tyre. Mundet, ndryshe, të mos bëjmë asgjë, të fshihemi në bashkësitë tona të gardhuara dhe shkollat private, t’u gëzohemi avionëve dhe jahteve tanë — ta ka ënda — dhe të presim për sfurqet. Faleminderit. (Duartrokitje)