Ka shumë mundësi që nuk më njihni,
por jam një nga ata .01 përqindëshat
për të cilët dëgjoni apo lexoni,
dhe, sipas çdo përkufizimi
të arsyeshëm, një plutokrat.
Ajo që dua të bëj sot
është t’u flas haptazi
plutokratëve të tjerë, llojit tim,
pasi duket se është koha që krejt ne
të ulemi të bisedojmë.
Si shumica e plutokratëve,
jam kapitalist
shumë krenar dhe pa brenga.
Kam themeluar, bashkë-themeluar
ose financuar
mbi 30 kompani në industri të ndryshme.
Isha investuesi i parë
jo-familjar në Amazon.com.
Bashkëthemelova një shoqëri
të quajtur aQuantive
që ia shitëm Microsoft-it
për 6.4 miliardë dollarë.
Tok me miqtë e mi, jemi
pronarë të një banke.
Ua tregoj — (Të qeshura) —
e pabesueshme, apo jo?
Ua them këto për t’ju treguar
se jeta ime është si
shumica e plutokratëve.
Kam një këndvështrim
të gjerë mbi kapitalizmin
dhe biznesin,
çka më është shpërblyer me të dy duart
me një jetë që shumica juaj
as e përfytyrojnë dot:
disa shtëpi, një jaht, avionin tim,
etj., etj., etj.
Por të jemi të sinqertë: nuk jam
personi më i mençur që ju ka rastisur.
Dhe, pa mëdyshje, jo më i palodhuri.
Isha student mesatar.
Nuk jam fare tip teknik.
Nuk shkruaj dot as edhe një rresht kodi.
Me tërë mend, suksesi im është pasojë
e fatit spektakolar,
e lindjes, e rrethanave dhe e kohës.
Por në fakt jam goxha i zoti në dy gjëra.
E para, kam një tolerancë
jo të zakonshme për rreziqet,
dhe tjetra kam shumë intuite,
se ç’do të ndodhë në të ardhmen,
dhe mendoj se kjo nuhatje e së ardhmes
është thelbi i sipërmarrjes së arrirë.
Ç’shoh sot te e ardhmja jonë,
do të pyesnit?
Shoh sfurqe,
si sfurqet e një turme të egërsuar,
ngaqë, ndërkohë që njerëz
si ne plutokratët
jetojnë tej andrallave të koprracisë,
99 përqindëshi tjetër
i bashkëqytetarëve tanë
po mbeten gjithnjë e më tepër mbrapa.
Më 1980-n, një përqindëshi
i amerikanëve në majë
zotëronte rreth tetë përqind
të të ardhurave kombëtare,
kurse 50 përqindëshi i amerikanëve poshtë
zotëronte 18 përqind.
Tridhjetë vjet më vonë, sot,
një përqindëshi në majë
zotëron mbi 20 përqind
të të ardhurave kombëtare,
kurse 50 përqindëshi i amerikanëve poshtë
zotëron 12 ose 13.
Nëse prirja vazhdon,
1% në majë do të zotërojë
mbi 30 përqind të të ardhurave kombëtare
pas 30 vitesh të tjera,
kurse 50 përqindëshi i amerikanëve poshtë
vetëm gjashtë.
Pra, problemi nuk është se kemi
ca pabarazi.
Ca pabarazi është e domosdoshme
për një demokraci kapitaliste
që funksionon goxha
Problemi është se pabarazia
sot është në maja historike
dhe përditë e më keq bëhet.
Dhe nëse pasuria, pushteti,
dhe të ardhurat
vazhdojnë të përqendrohen
në majën e majës,
shoqëria jonë do të ndryshojë
nga një demokraci kapitaliste
në një shoqëri neo-feudale rentiere
si Franca e shekullit të 18-të.
Kështu qe Franca
para revolucionit,
me turmat me sfurqe.
Ndaj kam një mesazh për plutokratët e mi
dhe trilionerët
dhe për këdo që jeton
në një botë flluskë të gardhuar:
Zgjohuni.
Zgjohuni. Kjo s’mund të zgjasë përgjithmonë.
Sepse nëse nuk bëjmë diçka
për ndreqjen e pabarazive ekonomike
verbuese në shoqërinë tonë,
sfurqet do të na gjejnë,
pasi asnjë shoqëri e lirë
dhe e hapur s’mund ta mbajë
gjallë këtë lloj pabarazie
ekonomike në rritje.
Kurrë nuk ka ndodhur.
Nuk kemi shembuj për të.
Tregomëni një shoqëri shumë të pabarabartë,
t’ju tregoj një shtet policor
ose një kryengritje.
Nëse nuk i biem pas kësaj pune,
sfurqet do të na gjejnë.
Çështja nuk është “po sikur”, është “kur”.
Dhe do të jetë e tmerrshme kur t’i vihen
gjithkujt,
por veçanërisht njerëzve
si ne, plutokratëve.
E di që duhet të dukem
si ndonjë liberal naiv.
Nuk jam. S’po argumentoj moralisht
që pabarazia ekonomike është e keqe.
Ajo që po mbroj është se
rritja e pabarazisë ekonomike
është pa mend dhe tek e fundit
vetë-shkatërruese.
Rritja e pabarazisë s’rrit
thjesht rrezikun
tonë përballë sfurqeve,
por është e tmerrshme për vetë biznesin.
Modeli për ne njerëzit e kamur
do të duhej të qe Henri Fordi.
Kur Fordi në mënyrë të famshme
futi ditën e punës 5 dollarëshe,
çka qe dyfishi i rrogës
mbizotëruese të kohës,
ai s’rriti thjesht prodhueshmërinë
e fabrikave të veta,
ai i shndërroi punëtorët e shfrytëzuar,
që qenë të varfër,
në një klasë të mesme në lulëzim
që tani mund t’ia dilte
të blinte produktet që prodhonte.
Fordi nuhati atë çka ne
e njohim si të vërtetë,
që një ekonomi kuptohet
më mirë si një ekosistem
dhe se karakterizohet nga po ato
qerthuj marrëdhëniesh që i gjeni
në një ekosistem natyror,
një qerthull marrëdhëniesh
mes klientësh dhe biznesesh.
Rritja e rrogave shton kërkesën,
dhe kjo shton punësimin,
që nga ana e vet rrit rrogat
kërkesën dhe fitimet,
por ky cikël virtuoz
i rritjes së mbrothësisë
është pikërisht çka mungon sot
për rigjallërimin e ekonomisë.
Kjo është arsyeja pse duhet t’i lëmë pas
politikat trickle-down që kaq shumë
mbizotërojnë në të dyja partitë politike
dhe të përqafojmë diçka
që unë e quaj ekonomi middle-out.
Ekonomia middle-out e hedh tej
idenë ekonomike neoklasike
se ekonomitë janë të efektshme,
lineare, mekanike,
se priren drejt baraspeshimit
dhe paanësisë,
dhe përqafon në fakt idenë
e shekullit XXI
që ekonomitë janë
ekosisteme të ndërlikuara,
përshtatëse,
dhe se priren larg baraspeshimit
dhe drejt pabarazisë,
se nuk janë aspak të efektshme,
por kanë efektshmëri,
nëse administrohen mirë.
Ky këndvështrim i shekullit XXI
ju lejon të shihni qartë se kapitalizmi
s’funksionon duke shpërndarë
[me efektshmëri]
burimet ekzistuese.
Funksionon duke krijuar [me efektshmëri]
zgjidhje të reja
për problemet njerëzore.
Gjenialja te kapitalizmi
është se është një sistem
evolucionist zgjidhje-gjetjesh
I shpërblen njerëzit për zgjidhjen
e problemeve të njerëzve të tjerë.
Qartas, dallimi mes një shoqërie
të varfër dhe një shoqërie të pasur,
është shkalla me të cilën shoqëria
prodhon zgjidhje në formë
produktesh për qytetarët e vet.
Tërësia e zgjidhjeve
që kemi në shoqërinë tonë
është vërtet mbrothësia jonë,
dhe kjo shpjegon
pse kompani si Google dhe Amazon
apo Microsoft dhe Apple
dhe sipërmarrësit që
i krijuan këto kompani
kanë kontribuar kaq shumë
në mbrothësinë e kombit tonë.
Ky këndvështrim shekulli XXI
e bën gjithashtu të qartë se
ajo çka e mendojmë si rritje ekonomike
kuptohet më mirë si
shkalla se sa probleme zgjidhim.
Por kjo shkallë varet tërësisht nga
sa zgjidhës problemesh — zgjidhës
të zotë, të larmishëm, problemesh — kemi,
praj edhe nga se sa prej bashkëqytetarëve tanë
marrin pjesë aktivisht,
si sipërmarrës që
mund të ofrojnë zgjidhje,
dhe si klientë që i konsumojnë ato.
Por rritja sa më tepër e pjesëmarrjes
nuk ndodh rastësisht.
Nuk ndodh vetë.
Lyp përpjekje dhe investim,
çka është arsyeja pse krejt
demokracitë kapitaliste me shumë mbrothësi
dallohen nga investime masive
drejt shtresës së mesme dhe infrastrukturës
nga e cila ajo varet.
Ne plutokratët lypset ta lëmë pas
këtë ekonominë trickle-down,
këtë ide që sa më mirë të jemi ne,
aq më mirë do të jetë gjithkush.
S’është e vërtetë. Si të jetë e vërtetë?!?
Unë fitoj 1000 herë sa rroga mesatare,
por nuk blej 1000 herë më tepër gjëra,
apo jo?
Bleva dy palë pantallona nga këto,
të cilat Majku, ortaku im i quan
pantallona administratori.
Mund të blija 2000 palë,
por për t’i bërë çfarë? (Të qeshura)
Sa herë do të qethem?
Sa herë do darkoj jashtë?
Pavarësisht se sa të kamur
të bëhen pak plutokratë,
kurrë s’mund të shtyjnë para
një ekonomi të fortë kombëtare.
Vetëm një shtresë e mesme
e lulëzuar mundet.
S’kemi ç’bëjmë,
mund të thonë miqtë e mi plutokratë.
Tjetër koha e Henri Fordit.
Ndoshta s’bëjmë dot ca gjëra.
Ndoshta ca gjëra mund t’i bëjmë.
19 Qershor, 2013,
Bloomberg botoi një shkrim timin me titull
"The Capitalist’s Case for a $15 Minimum Wage."
Babaxhanët e revistës Forbes,
ndër admiruesit e mi më të mëdhenj,
e quajtën "Propozimi thuajse
i çmendur i Nik Hanauerit."
Por prapë, vetëm 350 ditë
pasi qe botuar ai artikull,
kryetari i bashkisë së Seattle
e dekretoi ligj një urdhëresë
për rritjen e pagës minimum në Seattle
në 15 dollarë ora,
më shumë se dyfishi
i 7.25 dollarëve që mbizotëron
në nivel federal.
Si ndodhi kështu,
mund të pyesin njerëz të arsyeshëm.
Ndodhi se një grup prej nesh
i kujtuan shtresës së mesme
se ajo është burimi
i rritjes dhe mbrothësisë
në ekonomitë kapitaliste.
Ju kujtuam atyre se kur
punëtorët kanë më shumë para,
bizneset kanë më tepër klientë,
dhe u duhen më shumë punonjës.
Ju kujtuam se kur bizneset
u paguajnë punëtorëve një rrogë
të denjë për jetesë,
taksapaguesve u hiqet barra
e financimit të programeve
kundër varfërisë
si triska ushqimesh, asistencë mjekësore
apo kontribut qirash
për të cilat kanë nevojë këta punëtorë.
Ju kujtuam atyre se
punëtorët me rroga të ulëta
përbëjnë taksapagues të tmerrshëm,
dhe se kur rrisni pagën minimum
për krejt bizneset,
krejt bizneset përfitojnë
pa u dëmtuar konkurrenca
e ndonjërit prej tyre.
Reagimi klasik, sigurisht,
është që me rritjen e pagës minimum
ulen vendet e punes. Apo jo?
Politikanët tuaj i bëjnë gjithmonë jehonë
kësaj ideje trickle-down
duke thënë gjëra të tilla si,
"Po qe se rrisni çmimin e krahut të punës,
gjejeni se ç’ndodh? Merrni më pak të tillë."
Me tërë mend?
Se ja që ka ca fakte
që bien ndesh me këtë.
Që nga 1980, rrogat e CEO-ve te ne
u rritën me 30 deri 500 herë
të rroges mesatare.
Kjo është rritje e çmimit
të krahut të punës.
Por, me sa di,
nuk kam parë ndonjë kompani
që punën e CEO-së
ta mbulojë jashtë kompanisë,
ta automatizojë, ta eksportojë në Kinë.
Në fakt, duket se punësojmë
CEO dhe kuadër drejtues më tepër se kurrë.
Po njësoj për punonjës teknologjie
dhe punonjës shërbimesh financiare,
që fitojnë shumëfish sa rroga mesatare
por prapë punësojmë gjithnjë
e më shumë të tillë,
pra, pa mëdyshje, çmimin
e krahut të punës mund ta rrisni
dhe prapë të keni më tepër të tillë.
E di se shumica e njerëzve mendon
se rroga minimum 15 dollarë ora
është eksperiment ekonomik
i marrë, i rrezikshëm.
Nuk pajtohemi me ta.
Besojmë se paga minimum 15 dollarëshe
në Seattle
është në fakt vazhdimi i një
politike ekonomike logjike.
Ajo po i lejon qytetit tonë
t’ia dalë mbanë.
Ngaqë, shteti
i Uashingtonit ka tashmë
pagën minimum më të lartë
ndër shtetet e kombit.
Ne i paguajmë krejt punëtorët
9.32 dollarë ora,
çka është gati 30 përqind më shumë
se sa minimumi në nivel federal prej 7.25,
por, 427 përqind më shumë
se minimumi federal më i ulët prej 2.13.
Po të kishin të drejtë
teoricienët e trickle-down,
atëherë shteti i Washingtonit duhej
të kishte papunësi masive.
Seattle të rrëshqiste drejt oqeanit.
Por Seattle është qyteti me
rritjen më të shpejtë në
vend, ndër të mëdhenjtë.
Në shtetin e Washingtonit po krijohen
vende pune në biznes të vogël
me shpejtësi më të madhe se
cilido shtet tjetër i rëndësishëm
i kombit.
Biznesi i restoranteve në Seattle?
Në lulëzim.
Pse? Sepse ligji themelor
i kapitalizmit është,
kur njerëzit kanë më tepër para,
bizneset kanë më tepër klientë
dhe u duhen më shumë punëtorë.
Kur restorantet i paguajnë
punonjësit e tyre aq
sa edhe ata vetë të mund
të arrijnë të hanë në restorante,
kjo nuk i bën dëm
biznesit të restoranteve.
Kjo u sjell të mira,
pavarësisht se ç’mund
t’ju thotë ndonjë pronar.
Mos është më e ndërlikuar
se sa po e bëj?
Sigurisht që është.
Ka mjaft forca në lojë.
Por, a ka mundësi të ndalim
së nguluri këmbë
se nëse punëtorët me rroga
të ulëta fitojnë pak më tepër,
papunësia do të arrijë në qiell
dhe ekonomia do të vithiset?
Nuk ka prova për këtë.
Gjëja më tinëzare
te ekonomia trickle-down
s’është pretendimi se nëse
pasanikët pasurohen edhe më,
kjo është mirë për të gjithë.
Është pretendimi i atyre që janë kundër
çfarëdo rritjeje të pagës minimum
se, nëse të skamurit fitojnë diçka më tepër,
kjo do të jetë e dëmshme për ekonominë.
Këto janë gjepura.
Ndaj, ka mundësi ta lëmë
me kaq këtë retorikë
sipas së cilës vendin tonë
e ndërtuan pasanikët si unë
dhe miqtë e mi plutokratë?
Ne plutokratët e dimë, edhe
pse s’na pëlqen ta pranojmë në publik,
se po të qemë lindur diku gjetkë,
jo në Shtetet e Bashkuara,
fare mirë mund të ishim nga ata zbatharakët
në anë të rrugës plot pluhur,
që shesin banane.
Jo se nuk ka sipërmarrës
të mirë në vende të tjera,
madje dhe në vende shumë, shumë të varfra.
Kjo vjen ngaqë kaq është ajo
sa ngrenë klientët e këtyre sipërmarrësve.
Ja një ide për një lloj të ri ekonomie,
një lloj të ri politike
që unë e quaj kapitalizmi i ri.
Le të pranojmë që kapitalizmi
i mund alternativat ndaj tij,
por edhe që sa më tepër
vetë të përfshijmë,
si sipërmarrës dhe si klientë,
më mirë funksionon.
Le ta reduktojmë sa mundet
madhësinë e qeverisjes,
por jo duke sakrifikuar
programet kundër varfërisë,
por duke siguruar që
punëtorët paguhen mjaftueshëm
aq sa të mos kenë nevojë për këto programe.
Le të investojmë mjaftueshëm
për klasën e mesme
për ta bërë ekonominë tonë
më të paanshme dhe më përfshirëse,
dhe përmes më të paanshmes,
vërtet më konkurruese,
dhe përmes më vërtet konkurrueses,
më të aftë të prodhojë zgjidhje
për problemet njerëzore
të cilat janë shtysat e vërteta
për rritjen dhe mbrothësinë.
Kapitalizmi është teknologjia
shoqërore më e goditur
e shpikur ndonjëherë
për krijimin e mbrothësisë
në shoqëritë njerëzore,
nëse administrohet si duhet,
por kapitalizmi, për shkak të dinamikave
themelore shumëfishuese
të sistemeve komplekse,
priret, pandalshëm, drejt pabarazisë,
përqendrimit dhe vithisjes.
Puna e demokracive
qëndron te shtimi në maksimum
i përfshirjes sa më të gjerë
me qëllim krijimin e mbrothësisë,
jo në aftësimin e pak vetëve
të grumbullojnë para.
Qeveritë krijojnë mbrothësi dhe rritje,
duke krijuar kushtet që u lejojnë
si sipërmarrësve, ashtu
edhe klientëve të tyre
të lulëzojnë.
Baraspeshimi i fuqisë
së kapitalistëve si unë
dhe asaj të punëtorëve nuk është
i dëmshëm për kapitalizmin.
Është thelbësor për të.
Programe të tillë si,
një pagë minimale e arsyeshme,
kujdes shëndetësor i arritshëm,
leje e paguar për mungesa nga sëmundje,
dhe taksim progresiv, i nevojshëm
për financim infrastrukture të rëndësishme,
të domosdoshme, për klasën e mesme -
arsim, kërkim, zhvillim -
janë mjete të domosdoshme
që një kapitalist i mprehtë
duhet t’i përqafojë
për të nxitur rritjen ekonomike, ngaqë
askush nuk përfiton më shumë se ne
prej saj.
Shumë ekonomistë duan të besoni
se fusha e tyre është shkencë objektive.
Nuk jam dakord, dhe mendoj se po aq është
një mjet që njerëzit e përdorin
për të detyruar dhe rrënjosur
parapëlqimet dhe paragjykimet
tona shoqërore dhe morale
mbi statusin dhe fuqinë,
dhe kjo është arsyeja
pse plutokratë si unë
gjithmonë kanë pasur nevojë
të gjejnë histori bindëse
për t’ia treguar kujtdo tjetri
se pse pozicioni ynë relativ
është moralisht i drejtë
dhe i mirë për këdo:
pra që ne jemi të domosdoshëm,
krijuesit e vendeve të punës,
kurse ju jo;
se shkurtimi i taksave për ne
krijon rritje ekonomike,
por investimet për ju
do të fryjnë borxhin tonë
dhe falimentojnë vendin tonë të fuqishëm;
që ne jemi të rëndësishëm;
kurse ju jo.
Për mijëra vjet, këto histori janë quajtur
e drejtë hyjnore.
Sot i shohim si ekonomi trickle-down.
Duket sheshit dhe qartë se sa mirë
i shërbejnë këto atij që i rrëfen.
Ne plutokratët kemi nevojë të dëgjojmë
se Shtetet e Bashkuara
të Amerikës na pollën ne,
jo e anasjellta;
se një klasë e mesme
e lulëzuar është burimi
i mbrothësisë në ekonomitë kapitaliste,
jo një rrjedhojë e tyre.
Dhe nuk duhet të harrojmë kurrë
se edhe më i zoti prej nesh,
në rrethanat më të këqija
do të shiste banane, zbathur,
në anë të rrugës me pluhur.
Plutokratë të dashur,
mendoj se mund të jetë koha
që t’i rikushtohemi vendit tonë,
t’i kushtohemi një lloji të ri kapitalizmi
që është edhe më përfshirës,
edhe më efektiv,
një kapitalizëm që do të bëjë të mundur
që ekonomia e Amerikës të mbetet
më dinamikja dhe me më mbrothësi në botë.
Le të sigurojmë të ardhmen tonë,
të fëmijëve tanë dhe fëmijëve të tyre.
Mundet, ndryshe, të mos bëjmë asgjë,
të fshihemi në bashkësitë
tona të gardhuara
dhe shkollat private,
t’u gëzohemi avionëve dhe jahteve tanë
— ta ka ënda —
dhe të presim për sfurqet.
Faleminderit.
(Duartrokitje)