Keni dëgjuar për I.Q.-në, inteligjencën tuaj të përgjithshme, por çfarë është Psy-Q? Sa shumë dini për atë që ju motivon dhe sa mirë mund ta parashikoni sjelljen e të tjerëve apo edhe sjelljen tuaj? Dhe sa nga gjërat që mendoni se i dini për psikologjinë, janë gabim? Le ta kuptojmë duke i numëruar 10 mitet më të mëdha të psikologjisë. Besoj që keni dëgjuar të thuhet që sa i përket psikologjisë së tyre, është sikur burrat të jenë nga Marsi dhe gratë nga Venusi. Por sa të ndryshëm janë ata në të vërtetë? Le të shohim diçka ku burrat dhe gratë vërtetë ndryshojnë dhe t'i vendosim ca dallime gjinore psikologjike në të njëjtën shkallë Një gjë ku gratë dhe burrat ndryshojnë vërtetë është sa larg mund ta gjuajnë topin. Nëse shohim të dhënat për burrat këtu, shohim atë që quhet lakorja e shpërndarjes normale. Disa burra gjuajnë topin shumë larg, të tjerët fare pak, por shumica në distancë mesatare. Dhe gratë ndajnë të njëjtën shpërndarje, por në fakt ka një dallim të madh. Burri mesatar mund ta gjuajë topin më larg se rreth 98 % e të gjitha grave. Tani le të shohim se si duken disa dallime gjinore psikologjike në shkallën e njëjtë të standardizuar. Psikologët thonë se burrat kanë vetëdije hapësinore më të mirë se gratë - në gjëra si leximi i hartave, dhe është e vërtetë. Por ta shohim madhësinë e këtij dallimi. Është e vogël; vijat janë aq afër sa gati takohen. Në fakt, gruaja mesatare është më e mirë se 33% e gjithë burrave, dhe natyrisht, po të ishte kjo 50%, të dy gjinitë do të ishin saktësisht baraz. Vlen të thuhet se ky dallim dhe tjetri që do t'ju tregoj tani janë pak a shumë dallimet më të mëdha psikologjike gjinore që janë zbuluar në psikologji. Tani, dallimi tjetër. Psikologët thonë që gratë janë më të zonja se burrat në gjuhë dhe gramatikë. Ja performanca në testin e standardizuar në gramatikë. Ja ku janë gratë. Ja dhe burrat. Sërish, vërtetë që gratë janë më mirë si mesatare, por vijat janë kaq afër saqë 33% e burrave janë më të mirë se gruaja mesatare, dhe sërish, po të ishte 50%, do të ishte barazi e plotë gjinore. Pra, nuk është çështje e Marsit dhe Venusit. Është më shumë si çështja e Mars dhe Snickers: pothuajse njëjtë, por njëra është më e krisur. Nuk ju them se cila. Tani që jemi nxehur le ta bëjmë testin e famshëm psikanalitik të Rorschach-ut. Këtu mund të shihni dy arinj a dy njerëz. Po çka mendoni se po bëjnë? Ngrijeni dorën nëse mendoni se po përshëndesin. Jo aq shumë njerëz. Në rregull. Ngrijeni dorën nëse mendoni se po takojnë duart. Mirë. Ju që mendoni se po përleshen? Vetëm pak njerëz. Mirë, pra nëse mendoni se po përshëndeten ose po takojnë duart, do të thotë se jeni miqësor. Nëse mendoni se po përleshen, jeni person pak më agresiv. Pra jeni ose i dashur, ose luftarak. Po kjo? Kjo s'është me votë, prandaj në 3, thoni atë që shihni. Një, dy, tre. Dëgjova brejtës. Kush tha brejtës? Kjo ishte shqetësuese. Dikush aty tha brejtës. Epo, ju duhet të shihni ndonjë dykëmbësh aty, dhe imazhin e reflektuar të tyre këtu. Nëse nuk e patë, kjo ka kuptimin që ju keni vështirësi të procesoni situatat komplekse kur jeni të ngarkuar. Përpos që, natyrisht, s'e ka fare atë kuptim. Testet me bojë të Rorschach-ut nuk kanë fare validitet sa i përket testeve të personalitetit dhe nuk përdoren nga psikologët e sotshëm. Në fakt, një studim gjeti se kur u përdor testi i Rorschach-ut për testim të personalitetit, u diagnostikuan me skizofreni një e gjashta e pjesëmarrësve dukshëm normal. Pra, nëse nuk ishit të mirë në këtë test, ndoshta nuk jeni shumë tip vizual. Le ta bëjmë një kuiz të shpejtë për ta kuptuar. Kur gatuani tortë, a preferoni - ngrini duart kësaj radhe - a preferoni libër recetash me fotografi? Po, disa njerëz. Preferoni t'ju diktojë një mik? Apo të improvizoni gjatë procesit? Mjaftueshëm njerëz aty. Mirë, nëse thatë A, i bie që ju mësoni vizualisht dhe mësoni më së miri kur të dhënat janë vizuale. Nëse thatë B, i bie që mësoni përmes dëgjimit dhe mësoni më së miri kur të dhënat janë dëgjimore. Nëse thatë C, i bie që mësoni kinestetikisht, që mësoni më mirë kur i bëni vetë gjërat me duart tuaja. Përpos që, siç mund ta keni qëlluar, nuk është ashtu, sepse ky është mit. Stilet e të mësuarit janë të shpikura dhe pa mbështetje shkencore. Këtë e dimë nga eksperimentet tejet të kontrolluara, ku personat marrin material për ta mësuar ose në stil të preferuar ose të kundërt, nuk ka fare dallim në sasinë e të dhënave që memorizojnë. Dhe nëse mendoni vetëm pak, është e qartë që kjo është e vërteta. Është e qartë që formati i prezantimit nuk varet nga ju, por nga ajo që tentoni ta mësoni. A mund të mësoni vozitjen, thjesht duke dëgjuar dikë që ju tregon çka të bëni pa përvojë kinestetike? A mund t'i zgjidhni ekuacionet e përbashkëta, duke i menduar në kokë, pa i shkruar? A mund t'i vlerësoni provimet e arkitekturës me vallëzim interpretues, nëse ju mësoni kinestetikisht? Jo. Ju duhet t'ia përshtatni materialin formatit të prezantimit, jo vetes. E di që shumica jeni studentë të shkëlqyer, që tani i keni marrë rezultatet e GCSE-së. Nëse nuk i keni marrë rezultatet që keni shpresuar, nuk mund ta fajësoni stilin e të mësuarit por mund të konsideroni se faji është te gjenet tuaja. Një studim në University College London ka gjetur se 58% e dallimit midis studentëve të ndryshëm dhe rezultatet e tyre në GCSE ka të bëjë me faktorin gjenetik. Duket si një shifër mjaft precize, e si mund ta dimë? Kur duam të zbulojmë kontributet relative të gjeneve dhe të mjedisit, mund të bëjmë një studim me binjakë. Binjakët identikë kanë mjedis 100% të njëjtë dhe gjene 100% të njëjta, kurse binjakët jo-identikë kanë mjedis 100% të njëjtë por vetëm 50% e gjeneve të tyre janë të njëjta. Duke krahasuar ngjashmërinë e rezultateve të GCSE për binjakë identikë kundrejt atyre jo-identikë, dhe duke bërë ca llogaritje, shohim sa përgjegjës është mjedisi për performancën dhe sa përgjegegjëse janë gjenet. Del se gati 58% është për shkak të gjeneve. Kjo nuk e nënvlerëson punën që bëni ju dhe mësuesit tuaj. Nëse nuk keni marrë rezultatin që keni shpresuar, mund t'i fajësoni prindërit tuaj, ose të paktën gjenet e tyre. Një gjë që nuk mund ta fajësoni është të pasurit një anë të majtë ose të djathtë më aktive të trurit, sepse ky është mit. Besohet se ana e majtë e trurit është logjike, e shkathët me ekuacione si ky, kurse ana e djathtë është më kreative dhe më e shkathët në muzikë. Por sërish, ky është mit, sepse çdo gjë që ju bëni përfshin gati të gjitha pjesët e trurit tuaj, edhe gjëja më e rëndomtë, si bisedat e zakonshme. Sidoqoftë, arsyeja e mbijetesës së këtij miti është se ka një të vërtetë të vogël në të. Një version relativ i mitit është që majtakët janë më kreativ se djathtakët, që lidhet me atë se truri juaj kontrollon duart në formë të kryqëzuar, ashtu që majtakët kanë anë të djathtë pak më aktive sesa ana e majtë e trurit dhe ideja është që ana e djathtë është më kreative. Në parim nuk qëndron ideja që majtakët janë më kreativ sesa djathtakët. Ajo që është e vërtetë është se njerëzit që përdorin me shkathtësi të dy duart kanë të menduar më kreativ sesa ata që përdorin vetëm njërën dorë, sepse përdorimi i dy duarve përfshin bashkëpunim të madh midis pjesëve të trurit, gjë që mundëson të menduar fleksibil dhe kreativ. Miti i majtakut kreativ rrjedh nga fakti që përdorimi i dy duarve është më i shpeshtë te majtakët sesa te djathtakët, pra ka pak saktësi në idenë e majtakut më kreativ, por jo aq shumë. Një tjetër mit relevant që keni mundur ta dëgjoni është që ne përdorim vetëm 10% të trurit. Ky, sërish, është krejt mit. Pothuaj çdo gjë bëjmë, edhe gjëja më e rëndomtë, angazhon gati tërë trurin tonë. Megjithatë, natyrisht që është e vërtetë që nuk e përdorim fuqinë e trurit më së miri. Çka mund të bëjmë për ta rritur këtë fuqi? Ndoshta mund ta dëgjojmë një pjesë nga Mozart. A keni dëgjuar ndonjëherë për efektin Mozart? Ideja që nëse dëgjoni Mozartin bëheni më të zgjuar dhe përmirësoni performancën në teste të I.Q. Tani, gjëja interesante këtu është se ky mit megjithatë ka pak të vërtetë brenda. Studimi origjinal gjeti se pjesëmarrësit që dëgjuan muzikë të Mozartit për disa minuta patën rezultate më të mira në testin e I.Q. sesa ata që vetëm qëndruan në heshtje. Një studim tjetër mori njerëz që iu pëlqen muzika e Mozartit dhe një tjetër grup njerëzish adhurues të tregimeve horror të Stephen King. Pjesëmarrësit dëgjuan muzikën dhe tregimet. Njerëzit që parapëlqenin Mozartin Patën rezultate më të mira të I.Q. nga dëgjimi i muzikës, por njerëzit që preferonin tregimet, patën rezultate më të mira nga dëgjimi i tregimeve se nga muzika e Mozartit. E vërteta është që kur dëgjoni atë që iu pëlqen I.Q-ja juaj përmirësohet përkohësisht në një numër detyrash. Nuk do të thotë që dëgjimi i Mozart apo tregimeve të Stephen King do t'ju bëjë më të zgjuar në afat të gjatë. Një tjetër version i mitit të Mozartit është që jo vetëm që do të bëheni më të zgjuar, por edhe më të shëndetshëm. Fatkeqësisht, kjo nuk del të jetë e vërtetë as për dikë që dëgjonte muzikën e Mozartit gati cdo ditë, Mozarti vetë, që vuante nga gonorea, lia, artriti dhe ajo çka shumica e njerëzve mendojnë se e vrau, sifilisi. Kjo nënkupton që Mozarti është dashur të jetë më i kujdesshëm në zgjedhjen e partnerëve seksual. Por si ta zgjedhim partnerin? Një mit tjetër që është përhapur nga sociologët është që preferencat tona në partnerin romantik janë produkt i kulturës, janë kulturalisht specifike. Por të dhënat nuk e përkrahin këtë. Një studim i famshëm studjoi njerëzit nga 37 kultura të ndryshme të botës, nga amerikanët te zulut dhe çfarë ata kërkojnë te partneri. Në secilën kulturë në mbarë botën, burrat vlerësuan më shumë pamjen fizike sesa gratë dhe po në secilën kulturë, gratë vlerësuan më shumë ambicien dhe aftësinë për të fituar. Në secilën kulturë, burrat preferojnë gra më të reja se ata, mesatarisht, më duket se ishte 2.66 vjet dhe po në secilën kulturë, gratë preferojnë burra më të vjetër se ato, në mesatare prej 3.42 vjet, prandaj këtu kemi "Secilit i duhet një sponsor më i vjetër". Nga përpjekja për të fituar një partner kalojmë te përpjekja për të fituar në basketboll, futboll apo tjetër sport. Miti është që sportistët kalojnë periudha të nxehta, sipas amerikanëve, apo copëza vjollce, si themi ne në Anli, kur ata thjesht nuk huqin asnjëherë, si ky këtu. Por në fakt, çka ndodh është që nëse analizoni modelin statistikor të goditjeve të qëlluara dhe humbura del që ai është pothuajse gjithnjë i rastësishëm. Truri juaj krijon modele nga rastësia. Nëse hidhni një monedhë, një seri e kokave apo pileve do të dalë dikur rastësisht dhe meqë trurit i pëlqen të shohe modele aty ku nuk ka, ne i shohim këto seri dhe iu japim atyre kuptime dhe themi, "Qenka në formë sot", kur në fakt do ta shihnim të njëjtin model me goditje të rastësishme, të humbura a të qëlluara. Një përjashtim i kësaj janë penaltitë. Një studim i gjuajtjeve të penaltisë në futboll tregon se lojtarët që përfaqësojnë shtetet me një rekord të keq në gjuajtje të penaltive, si për shembull Anglia, i bëjnë gjuajtjet e tyre më shpejt sesa vendet me rekorde më të mira dhe si rezultat, kanë më shumë gjasa të gabojnë. Që na bën të pyesim se a ka ndonjë mënyrë që mund ta përmirësojë performancën e njerëzve. Një gjë që mund të mendoni është t'i dënoni njerëzit kur gabojnë dhe të shihni nëse ka sukses. Këtë ide, që ndëshkimi mund të përmirësojë performancën, pjesëmarrësit menduan se po testonin në eksperimentin e famshëm të Milgramit për të mësuarit dhe ndëshkimin që me siguri e keni dëgjuar nëse jeni student i psikologjisë. Pjesëmarrësit ishin përgatitur të jepnin çka ata besuan se ishte një shok fatal elektrik te një pjesëmarrës kur ai gabonte përgjigjen, vetëm se dikush me mantel të bardhë iu kishte thënë ashtu. Por kjo histori është një mit, për tri arsye. E para më me rëndësi, manteli nuk ishte i bardhë, por në fakt i hirtë. E dyta, pjesëmarrësve u ishte thënë para studimit dhe rikujtuar sa herë që ata e ngritën çështjen, që edhe pse shoku ishte i dhimbshëm, nuk ishte fatal dhe nuk shkaktonte dëm të përhershëm. E treta, pjesëmarrësit nuk dhanë shok vetëm pse dikush me mantel iu tha ashtu. Kur u intervistuan pas studimit, të gjithë pjesëmarrësit thanë se besuan fuqimisht se studimi mbi mësimin dhe ndëshkimin kishte qëllim të denjë shkencor që do t'i sillte shkencës përfitime afatgjata kundrejt shqetësimit momental, jo fatal, shkaktuar pjesëmarrësve. Unë jam duke folur per 12 minuta dhe ju me siguri më keni dëgjuar, keni analizuar modelet e të folurit dhe gjuhën trupore për ta zbuluar se a duhet të ma vini veshin për këto që po flas se a jam duke treguar të vërtetën apo po gënjej, nëse po, me siguri keni dështuar plotësisht, se edhe kur besojmë se mund ta zëmë një gënjeshtar nga gjuha trupore apo modelet e të folurit, qindra teste psikologjike ndër vite kanë treguar që për të gjithë ne, edhe policët dhe detektivët, është çështje fati dallimi i gënjeshtrës përmes gjuhës trupore dhe modeleve verbale. Megjithatë, ka një përjashtim: Thirrjet televizive për të afërmit e humbur. Është shumë lehtë të parashikosh kur të afërmit kanë humbur dhe kur në fakt ata që i kërkojnë, i kanë vrarë të afërmit e tyre. Kërkuesit e rremë kanë më shumë gjasa të lëkundin kokën, të shohin anash, të bëjnë gabime në të folur, kurse kërkuesit e vërtetë kanë prirje të shprehin shpresë që personi do të kthehet i sigurt dhe shmangin gjuhën e ashpër. Ata thonë "na e morën" dhe jo "e vranë". Meqë ra fjala, është koha që t'i jap fund këtij fjalimi, por para kësaj, dua t'ju jap në 30 sekonda mitin kryesor të psikologjisë. Miti është që psikologjia është thjesht përmbledhje e teorive interesante, të cilat thonë diçka të dobishme dhe të cilat kanë diçka për të ofruar. Shpresoj që në minutat që shkuan unë iu kam treguar që kjo nuk është e vërtetë. Çfarë duhet të bëjmë është t'i vlerësojmë teoritë psikologjike duke shikuar parashikimet e tyre, nëse dëgjimi i Mozartit iu bën më të zgjuar, që mësoni më mirë kur të dhënat iu prezantohen në stilin tuaj të preferuar ose çka do tjetër, të gjitha këto janë parashikime empirike të testueshme dhe mënyra e vetme për të përparuar është testimi i parashikimeve me të dhëna në studime tejet të kontrolluara eksperimentale. Dhe vetëm kështu mund të shpresojmë të gjejmë se cilat nga këto teori janë të mbështetura dhe cilat, si këto që iu tregova sot, janë mite. Ju falemnderit. (Duartrokitje)