Vizualizimi është aspekt qëndor i punës sime. Unë ligjeroj për çështjet e shëndetit botëror. Dhe unë e di se nuk mjafton vetëm që të kesh të dhëna statistikore. Ato duhet të prezantohen në një mënyrë të kuptueshme dhe zbavitëse për njerëzit. Tani do të bëj diçka që s'e kam provuar asnjëherë më parë. Do t'i animoj të dhënat në një hapësirë të vërtetë. Për ta realizuar këtë synim do të më ndihmojë ekipi teknik. Po fillojmë: së pari shfaqim boshtin për shëndetin. Këtu e kemi jetëgjatësinë e pritur prej 25 deri në 75 vite. Dhe këtu poshtë, e kemi boshtin për pasurinë. Të ardhurat për person: $400, $4,000 dhe $40,000. Këtu poshtë e kemi varfërinë dhe sëmundjen, ndërsa këtu lart i kemi të pasurit dhe të shëndetshmit. Tani do t'ju tregoj se si bota ishte para 200 vitesh, në vitin 1810. Ja ku janë të gjitha shtetet: Europa është ngjyrë kafe, Azia e kuqe, Lindja e Mesme e gjelbër, Afrika nën-Sahariane e kaltër, dhe Amerikat të verdha. Ndërsa madhësia e topit të një shteti tregon madhësinë e popullsisë së tij. Në vitin 1810 këtu poshtë kishte shumë tollovi, apo jo? Të gjitha shtetet ishin të varfëra dhe të sëmura, Jetëgjatësia mesatare ishte më e vogël se 40 vjet në të gjitha shtetet. Vetëm Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda ishin pak më mirë, por jo edhe aq më mirë. Dhe në këtë moment unë po e nisi jetën e botës! Revolucioni industrial bën që shtetet e Europës dhe disa vende të tjera të largohen prej pjesës tjetër të botës. Por shtetet e kolonizuara të Azisë dhe Afrikës mbeten të ngujuara këtu poshtë. Me kalimin e kohës, shtetet perendimore bëhen gjithnjë e më të shëndetshme. Dhe tani, ta ngadalësojmë pak rrëfimin për ta treguar ndikimin e Luftës së Parës Botërore. dhe epidemisë së gripit spanjoll. Çfarë katastrofe! Dhe tani shkojmë shpejtë nëpr vitet 1920 dhe 1930. Përkundër periudhës së Depresionit të Madh shtetet perendimore vazhdojnë të ecin para drejt pasurisë dhe shëndetit më të mirë Japonia dhe disa shtete të tjera përpiqen t'u vijnë pas por shumica e shteteve të tjera mbeten aty poshtë. Tani, pas tragjedive të Luftës së Dytë Botërore, ndalemi pak për të parë se si dukej bota e vitit 1948. Viti 1948 ishte një vit i rëndësishëm: Lufta kishte përfunduar, Suedia bëri kërdinë në Lojërat Dimërore Olimpike dhe unë kisha lindur! Por dallimi mes shteteve të botës ishte më i madh se kurdoherë. SHBA-të ishin përpara, Japonia po i ndiqte pas, Brazili ishte shumë më prapa. Irani po bëhej pak më i pasur për shkak të naftës por vazhdonte të kishte jetëgjatësi të shkurtër. Ndërkohë, gjigantët aziatik: Kina, India, Pakistani, Bangladeshi dhe Indonezia, ishin akoma të varfëra dhe të sëmura këtu poshtë. por shikoni se çfarë do të ndodhë! Ja po ia nisim prap! Gjatë jetës sime, kolonitë e mëparshme fituan pavarësinë, dhe më në fund filluan të bëhen më të shëndetshme, dhe më të shëndetshme dhe më të shëndetshme. Dhe në vitin 1970, shtetet e Azisë dhe Amerikës Latine filluan t'u afrohen shteteve perendimore: ato u bënë ekonomi në zhvillim e sipër. Disa shtete afrikane fillojnë të ndjekin pas, disa të tjera mbeten të ngujuara në luftëra civile, disa të tjera u goditën nga virusi HIV. Dhe ja ku e kemi botën e sotme, me statistikat e fundit. Shumica e njerëzve sot jetojnë këtu në mes. Por në të njejtën kohë ka shumë dallime në mes të shteteve më të pasura dhe shteteve më të varfëra. dhe ka shumë pabarazi edhe brenda vetë shteteve. Këta topa i tregojnë mesataret e shteteve, por unë mund t'i ndaj. Merreni për shembull Kinën. Mund ta ndaj në provinca. Ja ku iku Shanghai. Ai sot ka pasuri dhe shëndet të një niveli të njejtë sa Italia. Dhe ja ku është provinca e varfër Guizhou. Ajo është si Pakistani. Dhe nëse e ndaj edhe më tutje pjesët e saja rurale janë si Ghana në Afrikë. Dhe përkundër dallimeve enorme që hasim sot, gjatë 200 viteve kemi parë progres të hatashëm. Hendeku i madh historik që ekzistonte në mes të perendimit dhe pjesës tjetër të botës, tani po zvogëlohet. Jemi bërë një botë krejtësisht e re që shkon drejt konvergjencës, dhe unë e shoh një trend të qartë drejt së ardhmes. përmes ndihmës, tregtisë, teknologjisë ekologjike dhe paqes. Është krejt e mundshme që çdo shtet të arrijë te cepi i pasur dhe i shëndetshëm. Kjo që ju patë në këto minuta është rrëfimi i 200 shteteve në 200 vitet e fundit, dhe në të ardhmen! Unë thjesht vendosa 120,000 numra në një diagram. Shumë bukur, apo jo?